Kryefjala Logo

Krimi jashtë kontrollit/ 9 të vrarë në një javë, nga ekzekutimi për gërvishtjen e makinës tek krimet në familje

8 Qershor, 2021 | 5:51 pm

Java e parë e qershorit ka rezultuar tragjike për Shqipërinë, pasi  janë ekzekutuar 9 persona. Fenomen shqetësues është fakti se përveç atenateve apo vrasjeve për konflikte banale, ka patur një rritje të krimeve në familje.

Para disa ditësh, vjehrri vrau me armë dhëndrin e tij në Tiranë, dje një 56-vjeçar vrau bashkëshorten e tij me sëpatë në Librazhd, ndërsa të dielën, në Shkodër vëllai vrau motrën.

Saga e ekzekutimeve vazhdoi edhe sot, ku një gërvishtje e makinës 5 vjet më parë, solli një të vdekur.

Po cilat janë krimet që tronditen Shqipërinë?

Vrasja e parë ndodhi më 1 qershor në Tepelenë, ku u ekzekutua një biznesmen. Çajup Selimi mbylli biznesin e tij rreth orës 21 të mbrëmjes , një biznes i vendosur në qendër të qytetit të Tepelenës, dhe u ekzekutua në shkallët e pallatit ku jetonte. Ai është ekzekutuar me dy plumba njëri në kokë dhe tjetri në trup.

Vetëm dy ditë më pas krimi tronditi Vlorën. Pak pas mesnate një atentat është bërë ndaj shtetasit Shkëlzen Velaj. Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen lagjen “24 Maji” në qytetin e Vlorës ku Velaj është qëlluar me breshëri kallashnikovi në hyrje të shtëpisë së tij në katin e pestë të një pallati.

Pak minuta pas kësaj ngjarje, një tjetër krim u raportua nga policia. Në fshatin Fier i Ri të Lushnjës, Rako Qorri u vra nga komshiu i tij, ndërsa i plagosur mbeti edhe i biri. Ngjarja ndodhi për shkaqe banale.

Më 4 qershor u trondit edhe Tirana. Kudret Saliaj, baba i tre fëmijë u ekzekutua nga ish-vjehrri i tij, Mexhit Picari. Ngjarja e rëndë ndodhi në një lokal në afër të Gjykatës së Tiranës, aty ku priste të mbante seancën e pestë të procesit të divorcit me të shoqen, Dhurata Saliaj.

Mbrëmja e kësaj të diele u mbyll me dy viktima. Në Ksamil u vra me armë biznesmeni 40 vjeçar Gramoz Memaj. Dyshohet se kanë qenë 4 persona që kanë qëlluar drejt tij. Mema ishte pronar i një lokali të marrë me qira në Sarandë dhe nuk njihej si problematik në zonë.

Pas Vlorës, një krim tronditës brenda familjes u regjistrua në Shkodër. Diana Vukaj u qëllua për vdekje nga vëllai i saj. 58 vjeçarja jetonte në Gjermani dhe sa herë që vinte në Shkodër raportohet se ka konflikte me të vëllanë.

Edhe 7 qershori u përgjak. Në Dragostunjë të Librazhdit, Qemal Bici, 59 vjeç, vrau gruan me sëpatë, dhe më pas vari veten.

Një tjetër krim shokues u regjistrua sot në Peqin. Një gërvishtje makine, e ndodhur 5 vite më parë, u bë shkak i një sherri që do të përfundonte tragjikisht për Ylben Xhahysën. Xhahysa, 44 vjeç, u qëllua për vdekje me 4 plumba nga Leonard Bashalliu. Ngjarja u regjistrua rreth orës 08:30 të mëngjesit të sotëm, në një lokal në fshatin Gjocaj.

Vrasjet

Data 1, vritet Çajup Selimi

Data 3, vritet Shkëlzen Velaj

Data 3, vritet Rako Qorri

Data 4, vritet Kudret Salia

Data 6, vritet Gramoz Memaj

Data 6, vritet Diana Vukaj

Data 7, vritet Lumturie Bici dhe Qemal Bici

Datë 8, vritet Ylben Xhahysa

Gazeta SHQIP

Të ngjashme