Kryefjala Logo

Klodian Allajbeu do të jetë kryetari i Dhomës së re të Tregtisë mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe

25 Mars, 2023 | 4:08 am

Sipërmarrësi i rrjetit të spitaleve “Amerikan”, Klodian Allajbeu do të jetë kryetari i Dhomës së re të Tregtisë mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe. Marrëveshja është dakordësuar dje në Londër, në takimin që kryeministri Rama ka zhvilluar në “Downing Street” me homologun Rishi Sunak.

“[…] të dy kryeministrat mirëpritën progresin në bashkëpunimin e biznesit dhe bashkëpunimin universitar, duke përfshirë hapjen e Dhomës së re Britanike të Tregtisë në Shqipëri…”, thuhej në deklaratën e përbashkët të firmosur nga Rama dhe Sunak.

Menjëherë pas kësaj marrëveshje, ka nisur puna për Dhomën e re të Tregtisë që do i japë një impuls të ri bashkëpunimit mes bizneseve shqiptare dhe atyre britanike. Zgjedhja e sipërmarrësit Klodian Allajbeu si kryetar i saj, është një garanci më tepër.

Newsbomb.al mëson se numri dy i Dhomës së re të Tregtisë Shqipëri-Britani e Madhe do të jetë Jonida Lakuriqi, drejtuesja e Bordit të kompanisë celulare Vodafone Albania, për Shqipërinë.

Ngritja e këtij institucioni të ri që do të ndihmojë bizneset shqiptare dhe ato britanike drejt një bashkëpunimi më të frytshëm dhe modernizimi të mëtjeshëm, ka marrë zyrtarisht dhe bekimin e Asociacionit të Dhomave të Tregtisë, në Ministrinë e Thesarit në Mbretërinë e Bashkuar.

Dhoma e re e Tregtisë do të jetë një institucion zyrtar, me mbështetjen e qeverive të dy vendeve, si dhe me anëtarë disa nga kompanitë më të fuqishme.

Ndër të parat që janë bërë pjesë e saj, newsbomb.al mëson se janë gazsjellësi Trans-Adriatik TAP, Vodafone Albania, The British Petroleum – një kompani britanike e naftës dhe gazit me seli në Londër, TLScontact, kompania që menaxhon shërbimin e vizave në emër të qeverisë britanike dhe British School of Tirana, një institucion arsimor cilësor.

Të ngjashme