Lajme nga vendi
Kapet duke transportuar emigrantë,i riu theu masën e arrestit
18 Nëntor, 2021 | 11:04 am
Policia e Tiranës në bashkëpunim me atë të Krujës ka arrestuar ditë e sotme një 18-vjeçar, i cili kishte thyer masën e “arrestit në shtëpi”. Uniformat blu bëjnë me dije se kanë prangosur A. M., 18 vjeç, të cilin gjykata e Krujës e kishte dënuar për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Nxitja për përdorimin e drogës”.
Ky i fundit është konstatuar nga shërbimet e Policisë, në rrugën Tiranë-Rinas, duke transportuar me një mjet furgon, 20 emigrantë të paligjshëm, me destinacion qytetin e Kukësit.
Njoftimi i plotë:
Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për krimet kundër narkotikëve dhe transportonte 20 emigrantë, me një automjet furgon, kapet dhe vihet në pranga nga Policia, në kuadër të operacionit policor të koduar “Krasta”.
Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, se disa persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kryenin transportin e emigrantëve të paligjshëm, kundrejt shpërblimit monetar, nga Tirana në drejtim të Kukësit, me mjete të marra me qira, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Komisariatin e Policisë Krujë, finalizuan operacionin policor të koduar “Krasta”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. M., 18 vjeç, i cili ishte me masë sigurimi personal “Arrest në shtëpi”, e caktuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Nxitja për përdorimin e drogës”.
Gjithashtu u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi I. Ç., 27 vjeç, i dënuar më parë për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i monedhave”.