Kapen 200 kilogramë kokainë në Durrës, administratori i firmës: Jam shumë i irrituar

1 vit më parë

Një sasi kokaine, prej rreth 200 kilogramësh është sekuestruar këtë të enjte në Portin e Durrësit, pas kontrolleve të imtësishme që u është bërë konteinerëve që po shkarkoheshin.

Ndërkohë janë publikuar edhe pakot me kokainë të gjetura në konteinerin në Durrës, të cilat kishin si destinacion firmën Masabi Fruits në Kombinat.

Nga fotot dallohet se kokaina ishte e mbështjellë me natriban kaf dhe të zi, ndërkohë që në disa prej tyre ishte mbishkrimi ”Viejon”.

Konteineri ku u gjet droga është shkarkuar nga anija e konteinerëve ”Dance”, anije me flamur portugez që vinte në Durrës pas ndalesës në portin grek të Pireut.

Administratori i firmës së bananeve në konteinerin e të cilave u gjet kokaina, Erion Peti, ka deklaruar për neës24 se është arrestuar ortaku i tij, që e ka dhe djalë daje, Klajdi Xibraku.

“Na njoftuan që kemi kontroll rutinë. Siç e bëjmë çdo javë. Shkoj djali i dajës tim, vetëm kur morëm vesh që është arrestuar. Nuk po kuptojmë asgjë tjetër. Jemi komplet të pambrojtur.

Ne jemi 5 vjet që sjellim fruta nga jashtë vendit. S’kemi pasur asnjë lloj problemi, jemi të hapur për çdo gjë, t’i ballafaqohemi ligjit.

Nuk po më kërkon Policia, Policia po heton. Jam kot në këtë hetim, s’kam lidhje fare.  Unë paguaj tatimet në shtet.

Nuk qenka punë këtu, s’di çfarë të them. Jam shumë i irrituar.”– tha Peti.

Të ngjashme