Kryefjala Logo

Kantjeri Detar në Durrës qendra e madhe krijuese dhe vend emancipimi për rininë Durrsake!

8 Dhjetor, 2021 | 7:02 pm

Një muaj më parë është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare Ramazan Beja, që miqtë dhe nxënësit e tijë e njihnin si Xhoda. Ai kishte lindur më 7 janar 1934. Xhoda ishte sportist, shkrimtar e politikan i njohur për të gjithë durrsakët. Në vitin 2010 sapo kishte përfunduar një libër mbi historikun e qytetit të Durrësit dhe në bisedë me të më foli për projektet që kishte për një pasqyrim shumë planësh në rrafshin historik dhe ekonomik të qytetit.
Në njërin prej botimeve, sipas bisedës paraprake të bërë me Xhodën ai më tregonte se i kishte kushtuar një kapitull të vecantë Kantjerit Detar, një prej simboleve më emblematike të krenarisë së këtij qyteti në të cilin, me specialistë vendas, u arrit që të prodhohen deri anije metalike të tonazheve të mesme transoqeanike si dhe riparime te anijeve transoqeanike të tonashit të madh. Xhoda kishte një dashuri të pafund për qytetin e Durrësit, por dhe shumë breza të këtij qyteti ruajtën për të një vlerësim të veçantë mes të cilëve spikasin ish nxënësit e vet të shumtë, me të cilët ai pati marrëdhënje korrekte dhe një miqësi të përherëshme. Ai si durrsak ndjehej krenar.
Kantjeri detar në shënimet e Ramazan Bejës
Ramazani shkruan se nëqoftëse do të kërkohej një emër ndërmarrjeje që do të përfaqësonte qytetin e Durrësit, padyshim që do të ndaleshim tek kantjeri detar i këtij qyteti. Kantjeri është një ndërmarrje simbol me një të kaluar historike të hereshme. Në vitin 1944 kjo ndërmarrje zuri vend në sheshin ndërmjet bregut të detit dhe Bankës Kombëtare dhe grumbulloi nje kolektiv mjeshtrash dhe punëtorësh durrsakë që u shquan për vlerat qytetare. Xhoda vlerëson punën e bërë në vitet e mëparshme kur punëtorët e këtij kantjeri, të drejtuar nga mjeshtrat më të aftë, të cilët i’a dolën që të meremetojnë por edhe të ndertojnë lloje të ndryshme anijesh, nga të voglat e peshkatoret deri tek ato oqeanike, duke treguar kështu vlera të shquara pune krijuese…
Kantjeri detar e ka nisur veprimtarinë e tijë pas luftës, në dhjetor të vitit 1944 dhe fillesa ka pasur edhe një ngjarje tragjike…Ka qënë djeloshi durrsak 22 vjecari Tom Goga, shkruan Xhoda, ai që mori nismën e krijimit të tijë duke bashkuar mjeshtra italianë dhe shqiptarë që ishin marrë me riparimin e mjeteve detare gjatë luftës. Më 13 maj 1945 kantjeri ka përuruar lëshimin në det të motovelierës 75 tonëshe “Misiri 2” e porositur nga pronari Riza Jakupi. Aso kohe u thanë fjalë shumë të mira për punëtorët e kantjerit, inxhinierin italian Rafaele Vangnini dhe Tom Gogën, të cilin shtypi i kohës e cilësonte inxhinier.
Ajo që pak vete e dinin dhe që e risjellin në kujtesë shënimet e Xhode Bejës ishte fakti se në këtë përurim kanë marrë pjesë figura të rëndësishme të shtetërore të asaj periudhe Koci Xoxe dhe Bedri Spahiu. Xhoda sakteson se nga autoritetet e asaj periudhe ishte i pranishëm Gjeneral Leitnant Koci Xoxe, ndërsa fjalën e rastit e mbajti gjeneral major Bedri Spahiu. pas këtij përurimi po ate muaj lëshohet në det motoveliera 70 toneshe “Kalamishi” ndërsa në qershor të vitit 1945 U.N.R.R.A i ka falur Shqiperisë 6 anije të vogla. Sektori detar i ATASH-it ka marrë në dorëzim 2 anije, 2 rimorkiatorë, nga 20 metra të gjatë dhe 2 maune 200 tonëshe”.

Shetezimi i kantjerit dhe pushkatimet

Në Janar të vitit 1946 Kantjeri detar i Tom Gogës u shtetëzua dhe u quajt Kantjeri Detar i Marinës Shqiptare. Pa kaluar shumë kohë administratori Tom Goga dhe shefi i llogarisë, Kristaq Koci u pushkatuan të akuzuar për bilanc të falsifikuar me paramendim. Kjo ngjarje, nënvizon Beja, la përshtypje të hidhur dhe Durrësi i tronditur përcillte më shumë dhimbje në rrugët e veta hijen e së fejuarës së bukur të Tomit. E fejuara e Tom Gogës ka qënë Jolanda Lala, e bija e mësuesit Nikollë Lala dhe e Ana Lalës me nënshtetësi austriake.
Rritja e fuqisë së kantjerit
Në maj të vitit 1945 në këtë kantjer janë riparuar dhe lëshuar në det shumë barka mes të cilave motovelieri “Qemal Stafa” dhe motovedeta ‘Mujo Ulqinaku” Një muaj më pas janë lëshuar në det motovelierat “Dukati”, “Mati”, “Tirana” ,”Drini”. Më 1947 perurohen motovelieret ” Mustafa Matohiti “, “Teme Vaso ” dhe motolundrat “Beqir Dardha” e “Delfini”, kurse në vitin 1948 një motovelierë 350 tonëshe si dhe maunia e dytë 80 toneshe.
Në vitin 1949 në kantjerin detar, i cili mvarej nga Drejtoria e Porteve punonin 280 punonjës, nga të cilat 20 femra. Nga punëtorët e parë mund të përmenden:
Mjeshtrat e drusit: Gasper Gurashi, Ndoc Kombi, Luigj Gurashi, Muhamed Dedej, Muho Kacerja, Sali Nikshiqi, Odise Moneta, Ali Molla, Muhamet Tula, Hysen Luli, Sulejman Cela (Ahmeti), Niko Kulja, Demir Shabani, Rifat Koci, Petrit Mustafa, Lik Dyzeni, Kolë Curri, Bedri Rrogozhina, Fatime Domi, Haxhi Doksani, Pet Gugashi,Ilia Doraci, Misto Qendro, Kosta Dajlani, Sulejman Lajka, Shyqyri Stari, Muhamed Leba, Dhimiter Ajanis, Ymer Bushati, Spiro Kote, Osman Truma, Dod Ceta, Spiro Ilia.
Mjeshtrat mekanikë: Zef Rroboshta, Pandeli Golgota, Kleanth Golgota, Rugioro Batiani, Vasil Tefa, Niko Shuli, Hamdi Hoxha, Ramazan Belba, Fadil Cuku, Zyhdi Mara, Qemal Vogli, Nikoll Trungu,Qemal Kertusha, Naim Haznedari, Abdyrrahim Haznedari, Gafurr Haznedari, Lutfi Hoxha, Musa Hoxha, Vlash Bushi, Vangjel Prifti,Hysen Kapllani, Jaho Cimo, Niko Llalla, Selim Veliu, Anastas Nino, Ismet Zhura, Enver Mema, Xhemal Beja, Napolon Llalla, Bedri Kodra, Isuf Bisha, Naun Llazo, Abdulla Kacani, Milto Avrami.

Incidenti me anijen “Ali Kelmendi”

Në shënimet e Ramazan Bejës gjejmë edhe një detaj mjaft interesant. Është fjaja për incidentin me anijen 500 tonëshe “Ali Kelmendi”. Xhoda shkruan se me anijen 500 tonëshe “Ali Kelmendi” të porsa ndërtuar ndodhi një incident fatkeq. Projektin dhe ndërtimin e sajë e kishte drejtuar mjeshtri Odise Moneta, i ardhur pas lufte në Durrës. Dy djemtë i kishte në Amerikë, ndërsa gruan e kishte Italiane. Odiseja ishte mjeshtër i pregatitur dhe i talentuar. Punonte me ndershmëri dhe u bente ballë të gjitha vështirësive. Kur anija po lëshohej në det, duke rrëshqitur mbi urën e lëshimit, ajo u nda në dy pjesë, Odisenë dhe disa të tjerë i arrestuan për sabotim. Por në fakt shkaku kishte qënë një e pjesë metalike e ngritur, ngjitur me urën e lëshimit, e cila kur anija u lëshua mbi të, i shkatoi çarjen. Odisea u dënua, por gjithsesi punonte në kantier i shoqëruar me polic. Vonë u lejua të nisej në Amerikë tek djemtë e vet.”
Fuqizimi i potencialit të kantjerit
Me kthimin e një grupi inxhinierësh të rinjë që kishin studiuar në Rusi, Bullgari e Poloni, për ndërtime mjetesh detare, ndërtimi i mjeteve të reja dhe futja e teknologjive të përparuara shton shumëllojshmërinë e shërbimeve dhe të ndërtimeve të mjeteve lundruese. Në vitin 1960 ata hapen kurse për ngritjen e aftësive profesionale me programe të mira teorike dhe praktike për motorristë, elektricistë, mekanike skafi, saldatorë, oksigjenistë, vinçierë. Më pas një pjesë e mirë e këtyre kursantëve shërbyen në Floten Tregtare. Në vitin 1968, prodhohet anija metalike “Punëtori” dhe më pas lëshohet në det rimorkiatori i parë i prodhimit shqipatar “Debatik” me 1000 kuaj fuqi dhe gjatësi 32 metra. Në vitin 1970 filloi riparimi i anijes 5000 toneshe “Durrësi”, riparim i cili tregoi aftesitë e rritura të Kantjerit Detar, i cili po fillonte tashmë në nivelin e riparimit të anijeve oqeanike.
Kantjer i ri
Në vitin 1974, Kantjeri është transferuar në sheshin ku ndodhet sot. Kjo u bë pas një një përvoje 30 vjecare të tijë dhe për këtë u ndërtuan shkallë me përmasa të mëdha në të cilat u lëshuan në det anijet “Saranda” 1000 DëT dhe ” Gjirokastra” 2700 DëT. Për këto prodhime kanë dhëne një ndihmesë të vecantë Inxhinierët Gani Ismailati, Hysni Peku, Hysni Qehajai, si dhe mjeshtërat Xhevdet Karapici, e Abdulla Curri. Më pas zhvillimet në Kantjerin Detar vazhduan me krijimin e repartit të riparimit të vaporëve e mjeteve të mëdha detare që arriti të kryejë riparime kapitale të rimorkiatorëve, shalandave, Bigen “Adem Reka” , të dragave “Rodon” e “Adriatik” të anijeve 500 tonëshe, të avulloreve “Durrësi”, “Partizani”, “Liria” etj. Punime Kapitale u kryen edhe në anijet oqeanike “Tirana”, “Vlora”, “Shkodra”, dhe “Arbëria”. Në proçeset e riparimeve të këtyre anijeve përmenden për kontributin e tyre punëtoret Tahsim Kosova, Vangjel Jovani, Gori Bushi, Aleko Celi, Eqerem Elezi, Ajet Mustafaraj, Dervish Collaku, Ismail Dollaku, Ymer Karaboja, Sheme Xhaferri, Abaz Kurti, Muhamed Mece, Haxhi Gaxho, Mahmud Ramzoti, Kujtim Fezgo, Llambi Korreta, Fadil Aga, Shpetim Cela, Besnik Beja, Niko Dushku, Nikolla Qielli, Jovan Laci, Qemal Cërriku, Anastas Bushi, Nikolla Myzeqari, Radomir Roda, Kujtim Gjoni, Sadik Kthupi, si dhe preventivuesi i saktë Ismail Enesi.
Me shumë vlerë ishte sipas Ramazan Bejes, ngritja e repartit të prodhimeve të reja, sepse aty u realizua ndërtimi i shumë mjeteve detare deri në seri si anije pilotazhi, anije peshkimi KP 300, peshkatore 2KP- 408, anije 500 tonëshe si “Ali Kelmendi”, “Vjosa “, “Ylli i Kuq”, “Dajti”, “Bajram Curri”, “Beqir Nova”, “Adriatiku”, “Tomorri”, tragete të ndryshme për zonat e liqeneve në veri si dhe u projektuan e u prodhuan portat e H/C-ve të veriut.
Në këtë sektor puna ishte e organizuar në 6 brigada të mëdha ku punonin inxhinieret Astrit Duci, Alizot Tushe, Teofik Fishta, Vasil Mece, Hysni Qehajaj, Vath Collaku dhe mjeshtrat Veli Mema, Naime Mece, Bajram Deriaj, Pertef Qato, Gëzim Meta, Gëzim Dakoli, Sherif Keci, Nazmi Babiqi, Mahbub Bekteshi, Haki Kertalli, Xhemal Aliu, Sherif Hasa, Mikel Kika, Vlash Xharja, Muharrem Ferra,
Byroja teknike
Ramazan Beja evidenton edhe byronë teknike te Kantjerit. Ai thekson se kjo byro projektonte të gjitha pjesët që do të riparoheshin dhe prodhoheshin në kantjer. Ajo realizonte projektimin e linjave të reja për modernizimin e shërbimeve në kantjer. Aty punonin inxhinierët Hysni Peku, Llambi Leka, dhe mjeshtrat Xhorxh Dimroci dhe Ismet Bilali.
Byroja e konstruksionit
Byroja e Konstruksionit ishte truri i të gjitha realizimeve në Kantierin Detar. Aty bëheshin projektet për të gjitha prodhimet e atjeshme si të peshkarexhave, anijeve 500, 1000 e deri në 2700 ton, të rimorkiatorëve, trageteve etj. Këtu kanë punuar ndër vite inxhinier Gani Ismailati, Fatmir Dragu, Teofik Fishta, Astrit Duci, Diamanda Huta, Hysni Qehajaj, Vaide Pici, Dragush Haxhia, Petrit Xhakoni, dhe mjeshtrat Ruxhiero Batiani e Abdulla Curri.
Drejtuesit e kantjerit detar
Drejtorët: Tom Goga, Haxhi Kacani, Hysen Qoshja, Niko Shuli, Pandeli Caci, Hysni Cyrbja, Agron Fishta, Astri Duci, Llambi Huta, Sokol Plani.
Kryeinxhinierët: Diogjen Papajani, Petrit Cela, Astrit Duci, Agim Buka, Edmond Shiroka.
Qemal Vogli ish punëtor i kantjerit detar
Kantjeri ka qënë një fidanishte e sportistëve me emër si dhe e artistëve të talentuar që kanë lëne gjurmë në kulturën bashkëkohore të vendit që arriten ta përfaqësojnë Shqipërinë me dinjitet në veprimtari të rëndësishme ndërkombëtare. Xhodë Beja nënvizon me kujdes faktin se “Portieri i përmendur Qemal Vogli ishte punëtor i këtij kantieri. Prej aty kaloi së pari në mbrojtje të portës së skuadrës së Durrësit, të “Dinamos” dhe të Kombëtares. Aty e ka nisur veprimtarinë e vet edhe Napolon Llalla, sulmuesi i fuqishëm e bashkë me të organizatori i shkathët Naun Llazo. Sipas Bejës, në Kantjer punoi notari, fituesi i dhe rekordmeni i disa garave të shpejtësisë Kastriot Muço, dhe ai i notit shpinë Koco Afezolli, Boksieri Ymer Reci, notarët Bedri Rrogozhina, Gafurr Haznedari, ashtu siç u shquan edhe aktoret Lutfi Hoxha, tenori i ëmbël Qemal Kërtusha, apo mjeshtri i tornos vigane, baritoni i fuqishëm Sotir Afezolli.
Ramazan Beja pasi përshkruan kalimin e Kantjerit në shoqeri të përbashkët Durrës – Gdansk e më pas kur kaluan aksionet e Gdanskut te shoqëria turke “Korum” e që mori emrin “Durrës-Korum shiping” shprehte keqardhjen se ai tashme po shkonte drejt mbylljes së veprimtarisë ndërtuese, sikurse edhe ndodhi.
Duke iu referuar historikut të tijë të nderuar dhe mjaft interesant Xhoda shënonte: “Mund të pohohet me gojën plot se Kantjeri Detar ishte një qënder e madhe krijuese pune, simbol i sajë dhe qëndër emancipimi për rininë Dursake”!/ M.B

Burimi: Bulevardi News

Të ngjashme