Lajme nga vendi
I mori 8 milion leke per ti shpetuar te ëmën tek “Shefqet Ndroqi”, arrestohet sanitarja
13 Janar, 2021 | 10:30 am
Është arrestuar sanitarja Tire Alldervishi, që i mori qytetares 8 milionë lekë për t’i shpëtuar nënën nga koronavirusi, por që e kishte lënë të vdiste, duke mos i dhënë as ushqim.
58-vjeçarja Alldervishi është arrestuar sot nga Policia e Tiranës, pas denoncimit të bërë në emisionin investigativ “Stop”, ku rezultonte se ajo ishte prezantuar si infermiere te shtetasja E. S., duke i marrë 8 milionë lekë për t’i shpëtuar të ëmën 55 vjeçe, por që kjo e fundit kishte ndërruar jetë te Spitali Covid-2 “Shefqet Ndroqi”.
Sipas denoncimit, në muajin dhjetor (gjatë kohës kur nëna e kallëzueses ndodhej e shtruar në spital), sanitarja e ka mashtruar, duke i marrë rregullisht shuma te ndryshme monetare. Ndërkohë, nën hetim janë edhe 4 persona të tjerë në këtë spital të dyshuar për korrupsion.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit bënë ndalimin e shtetases T. A., 58 vjeçe, banuese në Tiranë. Kjo shtetase i është prezantuar si infermiere shtetases E. S., 30 vjeçe, e cila ka kallëzuar se gjatë muajit dhjetor, kur nëna e saj ka qenë e shtruar në spital, shtetasja T. A. e ka mashtruar duke i marrë rregullisht shuma monetare nga 5.000-6.000 lekë. Vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale”, thuhet në njoftimin e policisë.