Kryefjala Logo

Humb jeten ne moshen 39 vjecare prokurorja e Elbasanit

29 Tetor, 2021 | 11:13 am

Është ndarë nga jeta në moshën 39-vjeçare prokurorja Erida Kokonozi, e cila e ushtronte detyrën në Prokurorinë pranë Shkallës së Parë Elbasan. Mësohet se Kokonozi vuante nga një sëmundje e rëndë dhe nuk ka mundur ta fitojë betejën me të.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka reaguar për lajmin e hidhur, duke i shprehur ngushëllimet familjes, teksa deklaron se zonja Kokonozi ka qenë një nga magjistratët e spikatur të sistemit të prokurorisë dhe do kujtohet përherë me nderim.

REAGIMI I PLOTE I KLP
Këshilli i Lartë i Prokurorisë shpreh ngushëllimet e sinqerta për ndarjen e parakohshme nga jeta, në moshën 39 vjeçare, pas një sëmundje të gjatë, të prokurores Erida Kokonozi, e cila e ushtronte detyrën në Prokurorinë pranë Shkallës së Parë Elbasan.

Zonja Kokonozi ka qenë një nga magjistratët e spikatur të sistemit të prokurorisë, e cila e ka nderuar figurën e prokurorit, duke treguar një shkallë të larte integriteti dhe profesionalizmi në ushtrimin e detyrës.

Komuniteti i prokurorëve do ta kujtojë znj. Kokonozi përherë me nderim, për kontributin e saj të çmuar në fushën e drejtësisë. U shprehim ngushëllimet tona familjareve dhe të afërmve, për ndarjen e saj nga jeta.

Të ngjashme