Lajme nga vendi
Falsifikoi dokumentet për të liruar Viktor Ymerin,arrestohet ish-shefi juridik në burgun e Peqinit
13 Nëntor, 2021 | 12:50 pm
Ish-Shefi i Sektorit Ligjor të Burgut të Peqinit Gani Shehu është arrestuar nga SPAK.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ai ka paraqitur të dhëna të rreme për një të burgosur me qëllim lehtësimin e masës ndaj tij.
Mësohet se bëhet fjalë për të burgosurin Viktor Ymeri, një personazh i njohur në botën e krimit.
Shehu akuzohet se ka falsifikuar kartelat e tij. Kjo është tentativa e dytë nga ana e Shehut që ka falsifikuar dokumentet për Ymerin në mënyrë që të përfitonte lirinë sa më shpejt.
Ymeri i njohur ndryshe si “I forti i Vlorës” bëri 25 vite burg për vrasjen e Arben Pajës dhe Ilir Xhungës. Lidhur me këtë ngjarje, pasi vuajti dënimin Ymeri u lirua nga burgu në 2019, por u rikthye sërish në burg në dhjetor të 2020, pasi SPAK rihapi hetimet për dy ekzekutimet e bujshme në 2005, të Vajdin Lame dhe Klodian Saliut.