Kryefjala Logo

Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve: “Ekonomia nuk është në rregull. Po na mbysin skemat false të kredive…”

8 Tetor, 2021 | 12:23 pm

Nga janari 2020 deri në tetor 2021, Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqsorë Privat ngre alarmin se janë 5800 shqiptarë që kanë marrë kredi nga disa fondacione minikredie dhe që nuk kanë asnjë mundësi financiare për ti kthyer. E nëse presupozohet se një familje ka vetëm katër persona, numri i atyre që kanë mbetur peng i këtyre skemave, janë mbi 20 mijë shqiptarë që nuk kanë asnjë mundësi të kthejnë paratë.

Alarmi i përmbaruesve gjyqsore privatë është se këto kredi, janë shitur tashmë në institucione të tjera, duke u kthyer në një skemë të vërtetë piramidale.

“Në Shqipëri është shpikur zanati i gjerimit. Ky zanat i kthen “kreditë e humbura” në “kredi të lumtura”. Kreditë e humbura nga bankat shiten tek kioskat financiare të licensuara vetëm për këtë qëllim nga Banka e Shqipërisë. Vetë kioskat po ja shesin njëra tjetrës. Bukur! Kreditë e shitura fshihen nga bilancet, m’andej gjerohen sikur të ishin më të reja se ditën që u dhanë”, thonë ata në një njoftim për median.

 

Postimi i plotë i Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Privatë

Guvernatori ynë i nginjur nga lajmet e mira, na dha një sihariq të madh dje: ekonomia është Ok. Familjet dhe bizneset në Shqipëri janë më shumë se Ok. Janë happy! Kërkesa për mallra dhe shërbime nga populli është rritur goxha, por nuk specifikoi për çfarë lloji.

Disa statistika të Gjykatës së Tiranë (shkalla I) me ca popull brenda tregojnë:

2704 – kërkesa për lëshim urdhri ekzekutimi nga “Iute Credit Albania”;

2064 – nga “Micro Credit Albania” (MCA) dhe “Final”;

742 –  nga “Kredo Finance”;

287 –  nga “Micro Credit Risk” (MCR).

Me rrumbullakosje 5800 kërkesa për t’i kthyer kredimarrësit konsumatorë shqiptarë në debitorë me vendim gjykate. Kjo vetëm për periudhën janar 2020 – 1 tetor 2021.

Kjo, vetëm për Gjykatën e Tiranës (jo të Pukës apo Kavajës).

Kjo, vetëm për këto institucione financiare të mikrokredisë (ka edhe të tjera) licensuar nga Banka e Shqipërisë.

Gjate pandemisë 2020-2021, 5800 shqiptarë që kishin marrë kredira të vogla për halle, dëshira, kurim-sëmundjesh apo për të shlyer kredi të mëparshme, u kthyen në 5800 debitorë. Gjykata e Tiranës është kthyer në Fabrikë Debitorësh. Borxhet e kredive që kërkohen me gjykatë janë mbytur me komisionet dhe penalitetet e kohës së pandemisë. Lavatriçet e marra me kredi me vendim gjykate u kthyen sikur të ishin makina me katër rrota që duhen paguar si të reja.

5800 debitorët shqiptarë që mund të jetojnë në familje me 3-4-5 vetë po shqetësohen, tmerrohen…kur bie telefoni apo vjen shkresa me zarfin… ADCA. Përse ADCA?

Sepse, Iute Credit Albania i shet të gjitha këto kredi apo urdhra ekzekutimi te MCA dhe Final. Kredo Financë i shet po ashtu aty.

“Motrat” MCA & Final i fusin debitorët e blerë lirë, në zarfat e shtrenjtë të ADCA. Posta shqiptare bashkë me ADCA hidhet në sulm, kur fillon ekzekutimi me mesazhe, telefona, shkresa frikuese e mashtruese, ku? Kudo nëpër Shqipëri, nëpër familjet e “lumtura” shqiptare…që mund të jenë për 5800 debitorë të paktën 20 mijë “happy people”. Por janë shumë më tepër.

Në Shqipëri është shpikur një zanat që mund të regjistrohet si biznes real në QKB. Ai quhet “Gjerimi i punëve të të tjerëve”. Është e vërtetë, asnjë jurist mos habitet. Në Shqipëri “Gjerimi” quhet aktivitet, shërbim, biznes. Këtë e bën ADCA. Gjeron debitorët, gjeron bankat, gjeron avokatët, gjeron përmbaruesit, gjeron mediat, gjeron Guvernatorin me gjithë Këshill Mbikëqyrës. Gjeron shtetin mbarë..!

Në Shqipëri është shpikur zanati i gjerimit. Ky zanat i kthen “kreditë e humbura” në “kredi të lumtura”. Kreditë e humbura nga bankat shiten tek kioskat financiare të licensuara vetëm për këtë qëllim nga Banka e Shqipërisë. Vetë kioskat po ja shesin njëra tjetrës. Bukur! Kreditë e shitura fshihen nga bilancet, m’andej gjerohen sikur të ishin më të reja se ditën që u dhanë.

Vetëm në Shqipëri “shitblerja e kredisë” – quhet  “kredidhënie”. Kjo lloj kredidhënie është shpikja jonë e fundit në fushën bankare dhe ekonomisë. Presim së bashku “happy ending” e saj.

Deri atëherë mund të diskutojmë në prizmin psikosocial më shumë se në atë ekonomik. 5 800 që deri në fund të vitit mund të bëhen 10 000 debitorë shqiptarë; ose të gjithë janë mashtruesa patologjikë dhe i morën kreditë qëllimisht për të mos i kthyer kurrë, ose ca mashtruesa profesionistë i kanë futur të gjithë në një çark me rregulla “bankare”!

 

Të ngjashme