Lajme nga vendi
Çiftet shqiptare në krizë. Rekord divorcesh në gjykata, 11 mijë brenda vitit.
20 Gusht, 2022 | 8:55 am
Sa emocionuese janë fejesat apo dasmat, aq trishtimin sjellin ndarjet dhe shqiptarët po dalin rekordmenë. Plot 11000 çifte janë drejtuar në gjykatat e vendit për t’i dhënë fund martesës gjatë vitit 2021. Nga statistikat del se kjo është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë në Shqipëri.
Viti 2021 solli që numri i padive për zgjidhje martese të ketë një rritje me 16% në krahasim me 2020, vit në të cilin pati ulje të numrit të kërkesave për divorc ndoshta edhe për shkak të izolimit nga pandemia.
Po ta krahasojmë me pesë vite më parë rritja e kërkesave për zgjidhje të martesës është rritur me 35,6%.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, numri i padive për zgjidhje të martesës të regjistruara nga gjykatat është në rritje nga viti në vit.
Nëse do e shohim me qytete gjatë vitit të kaluar, numrin me të madh të kërkesave për ndarje e pati Tirana, mbi 2,800 të tilla, më pas renditet Durrësi me mbi 1 mijë, dhe në vendin e tretë renditet Elbasani me 971 çështje për shkrirje martese. Këto janë bashkit që kanë edhe numrin më të lartë të popullsisë në vend.