Lajme nga vendi
Arrestohet ne “Bllok” autori i vrasjes te 25 vjecarit ne Vlore
25 Gusht, 2021 | 11:36 am
Konflikti për pazare droge i ka kushtuar jetën 25-vjeçarit Xhuliano Bullari, trupi i të cilit u gjet i pajetë në një makinë, në Babicë të Vlorës! Policia vuri në pranga ditën e sotme autorin e dyshuar të ngjarjes, 39-vjeçarin Bledar Selmanaj, banues në Vlorë, i cili u arrestua në zonën e “Bllokut” në Tiranë!
Viktima dhe autori kishin njohje me njëri-tjetrin dhe ishin nisur nga Tirana për në Vlorë për çështje trafiku droge, ndërsa konflikti mes tyre ka nisur për shkak të një borxhi që Bullari i kishte Selmanajt.
Debati mes tyre agravoi, duke bërë që Selmanaj të nxirrte armën dhe të qëllonte 3 herë në drejtim të Bullarit, ku një plumb e kapi të riun në kokë, duke i marrë menjëherë jetën. Pas krimit, sipas Policisë, Selmanaj ka shkuar në banesën e tij në lagjen “15 Tetori” në Vlorë, duke groposur në oborr edhe armën e krimit. Arma, tip pistoletë, dhe një krehër me 9 fishekë, u gjetën sot nga Policia.
Po ashtu janë sekuestruar edhe disa veshje, të cilat dyshohen se janë përdorur nga autori gjatë vrasjes, si dhe 1 aparat celular.
Ndërkohë, Report Tv bën me dije se për zbardhjen e ngjarjes ndihmuan kamerat në hyrje të qytetit të Vlorës, ku u kapën pamje të automjetit tip ‘Fiat Punto’ me të cilin lëvizën viktima dhe autori, nëpërmjet të cilave u identifikua edhe 39-vjeçari Selmanaj.
I riu Xhuliano Bullari u gjet i vdekur nga banorët e zonës mëngjesin e 21 gushtit, rreth orës 07:35, në aksin Vlorë-Babicë, në një makinë tip ‘Fiat Punto’ me targa TR 3437 R. Sipas ekspertizës mjeko ligjore, 25-vjeçari dyshohet se kishte ndërruar jetë rreth orës 21.00 të mbrëmjes së 20 gushtit.