Kryefjala Logo

Arrestohet i dyshuari për vrasjen e ish-deputetit në Shkodër, kush është 20-vjeçari i ndaluar nga policia

2 Dhjetor, 2021 | 3:46 pm

Shtetasi Kristjan Kelmendi, 20 vjeç, është arrestuar nga policia si i i dyshuar për vrasjen e ish-deputetit në Shkodër, Pashko Ujka. 

20 vjeçari dyshohet se ka shenja baruti në duar dhe gjithashtu dyshohet për një borxh të pashlyer të ish-deputetit ndaj tij për një apartament.

Ndërkohë që bëhet me dije se policia dhe prokuroria po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dokumentimin e saj.

NGJARJA

Atentati ndaj 64-vjeçarit u regjistrua rreth orës 18:15 në lagjen “Vasil Shanto” ose siç njihet lulishtja e këmbimit valutor në qytetin verior të Shkodrës, ku persona të panjohur qëlluan me armë zjarri në drejtim të Ujkës. Ujka ka qenë duke ecur në lulishte bashkë me bashkëshorten e tij, kur ai u qëllua me armë zjarri silenciator.

Bashkëshortja e tij, e cila e shoqëronte atë në momentet e fundit të jetës, ka deklaruar se nuk ka dëgjuar asgjë vetëm ka parë të shtrirë bashkëshortin e saj në tokë pas plagosjes. Kjo për shkak se sipas burimeve policore autori i dyshuar e ka qëlluar 64-jeçarin me një pistoletë me silenciator.

Plagosja e rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur shumë afër banesës së ish-deputetit brenda në lulishte.

“Rreth orës 18:15, në lagjen ‘Vasil Shanto’ Shkodër, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasi P. U., 64 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e autorit. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e ngjarjes”, sqaroi policia e Shkodrës, ndërsa Ujka ndërroi jetë në spital rreth 1 orë e 30 minuta më vonë.

Ish-deputeti ka humbur shumë gjak, por po ashtu mjekët kanë hasur shumë vështirësi në nxjerrjen e plumbit në shtyllën kurrizore të 64-vjeçarit.

Të ngjashme