Lajme
Komisioni Europian deklaron: Tirana, një nga qytetet më të këqija për të jetuar
14 Janar, 2024 | 12:36 pm
Cili qytet në Evropë është më i pastër apo më i sigurt? Në cilin qytet është i lehtë për të gjetur një punë apo një shtëpi të përballueshme? Cili qytet ka transportin më të mirë publik ose cilësinë e ajrit? Përgjigjet për këto pyetje dhe shumë më tepër mund të gjenden në survejimin për vitin 2023 mbi cilësinë e jetës në qytetet evropiane. Ky raport paraqet gjetjet nga 83 qytete në të gjithë Evropën dhe ku Tirana rezulton të jetë një nga qytetet me cilësi më të keqe të jetës.
Studimi ofron një pasqyrë të jetës së qytetit, që nga zhurmat, transporti publik, ndotja, lehtësia për të blerë një shtëpi, siguria etj.
Përvojat dhe mendimet e banorëve të qytetit, të përmbledhura në këtë survejim janë të rëndësishme për të kuptuar perceptimin mbi Tiranën, që rëndom vjen i filtruar nga zyra e propagandës në Bashki, e cila ka një traditë të bombardimit të qytetarëve me “lajmet e gatshme”.
Të pyetur se në ç’masë janë të pakënaqur apo të kënaqur janë me transportin publik, bie në sy se në Tiranë nga të intervistuarit në telefon, 45% përgjigjen se janë shumë të pakënaqur, ndërsa 53% përgjigjen se janë shumë të pakenaqur.
Të pakënaqurit përbëjnë shumicën në momente kyçe të përditshmërisë. Të pakënaqurit janë shumicë kur pyeten për hapësirat e gjelbra që ofron qyteti, për hapësirat publike, për cilësinë e ajrit, për zhurmat etj.
Një nga parametrat në të cilat Tirana është dukshëm më mirë se qytetet e tjera europiane është siguria. Në pyetjen se në çfarë mase ndjehen të kënaqur apo të pakënaqur qytetarët, nëse ecin gjatë natës, përgjigjet janë me shumicë pozitive.
Gjithsesi, kur janë pyetur nëse janë të kënaqur në përgjithësi për jetesën në lagjen e tyre, përgjigjet janë të balancuara me një shumicë më të lehtë që thonë se janë të kënaqur që jetojnë në Tiranë.
Tabela për përgjigjet e qytetarëve në lidhje me korrupsionin e administratës lokale
Interesante në rezultatet e sondazhit janë përgjigjet që tregojnë perceptimin e qytetarëve për administratën lokale.
Të pyetur se në ç’masë bien dakort me pohimin se “Ka korrupsion në administratën lokale”, qytetarët janë përgjigjur si më poshtë:
19.3% “Nuk janë fare dakort”,
18.8% “Thuajse nuk janë dakort”
21.9% “Thuajse janë dakort”
19.9% “Janë shumë dakort”
20% “Nuk dinë si të përgjigjen”.
Me pak fjalë, ata që mendojnë se Erjon Veliaj drejton një administratë të korruptuar përbëjnë rreth 41% të të intervistuarve, në raport me ata që e mohojnë korrupsionin me rreth 38% të të intervistuarve.
Tabela që tregon 10 qyetet më të mira dhe 10 qytetet më të këqia për të jetuar
Tirana gjithsesi mbetet një nga qytetet me cilësinë më të ulët të jetës në shumicën e parametrave. Për këtë është renditur në dhjetëshen më të keqe të qyteteve për të jetuar pas Palermos, Athinës dhe Stambollit, e ndjekur më pas nga Napoli, Beogradi, Roma, Shkupi etj.
Rezultatet konfirmojnë se i ashtuquajti “zhvillim” që propagandohet me ndërtimet e godinave të larta dhe ndërtimet frenetike nuk e ka përmirësuar cilësinë e jetës, përkundrazi e ka përkeqësuar atë.
Qytetet më të mira të Europës, ku qytetarët janë të kënaqur për cilësinë e jetës bien në sy për faktin se u ofrohet më shumë mundësi për punë dhe perceptohen si vende më të mira për të jetuar për të moshuarit dhe për familjet me fëmijë të vegjël.
Po ashtu, banorët e qyteteve me të vlerësuar në sondazh thonë se janë më të kënaqur me disponueshmërinë e hapësirave publike, kujdesin shëndetësor dhe strehimin.
Burimi;Lapsi.al