Kryefjala Logo

Jeta e vështirë e Dwamena: U braktis nga prindërit, u rrit nga gjyshja e cila nuk e lejonte të bëhej futbollist

3 muaj më parë

Të gjithë do e kujtojmë Raphael Dwamena-n për lojën e bukur dhe golat spektakolarë që ka shënuar në skuadra të ndryshme, mes tyre së fundmi edhe me Egnatia-n në Shqipëri, përpara se të mbyllte sytë për herë të fundit ditën e shtunë, pasi pësoi atak kardiak gjatë ndeshjes ndaj Partizanit dhe më pas humbi jetën në spital.

Ndonëse vazhdimisht shihej pozitiv, përtej faktit që vuante nga zemra dhe kishte pësuar dy atake kardiake që e penalizonin shumë, jeta e 28-vjeçarit nga Gana nuk kishte qenë aspak e lehtë apo thënë ndryshe e plotë.

Në një intervistë që kishte dhënë për medien zvicerane “NZZ” më 19 tetor 2022, rreth një vit më parë, ganezi kishte rrëfyer jetën dhe fëmijërinë e tij, e cila në brendësi kishte shumë dhimbje.

Ndërsa rrëfente fëmijërinë e tij, Dwamena tregoi se gjithçka filloi në Nkaukau, një qytet i vogël në Gana.

Raphael u rrit mes vështirësive nga gjyshja e tij, pasi prindërit e tij të pamartuar e braktisën që pas lindjes.

Kur u rrit, edhe pse ishte tepër vonë, takoi sërish prindërit, në kohën kur tashmë ishte bërë një lojtar i njohur në Gana dhe talenti i tij kishte marrë hov.

Kur takoi prindërit e tij, një nga pyetjet që i bëri nëna ishte: “Sa vjeç je?” Ajo as nuk e mbante mend se kur e kishte sjellë në jetë djalin e saj, e kishte harruar.

Mbi të gjitha, në asnjë moment Dwamena nuk zgjodhi të pyeste prindërit e tij, pse e lanë të rritej me gjyshen. Arsyeja? Ai nuk donte të shfaqej mosmirënjohës ndaj gjyshes së tij.

Ajo ishte një grua shumë e rreptë dhe autoritare. Besimtare e devotshme e krishterë dhe drejtoreshë e shkollës në zonën ku banonte. Për të plotësuar të ardhurat e familjes, gjyshja detyrohej ta lejonte Raphael-in e vogël të shiste akullore të bëra vetë.

Nëse Raphael-i i vogël e donte futbollin, gjyshja mendonte ndryshe. Sipas saj, futbolli ishte humbje kohe dhe se shkolla duhet të ishte e para.

Sa herë që gjyshen e zinte gjumi, djali fshehurazi, pa e vënë re, dilte nga shtëpia dhe zbriste në lagje për të luajtur futboll me fëmijët e tjerë.

Pavarësisht dashurisë së madhe të djalit për futbollin, gjyshja prej kohësh nuk ndryshonte mendim.

Pikërisht atje në rrugë, kur ai po luante me fëmijët e lagjes, një zbulues talentesh e dallon dhe e fton në një provë të hënën.

Megjithatë sërish shfaqet gjyshja, me argumentin se djali duhet të jetë në shkollë të hënën dhe sipas saj nuk mund të bënte asnjë provë në futbolli.

Raphael-i i dëshpëruar kërkon nga shumë të afërm dhe familjarë që të veprojnë si ndërmjetës për gjyshen e tij, përfshirë djalin e saj, Patrik.

Pas negociatave të gjata, gjyshja bindet. Kur ishte vetëm 14 vjeç, xhaxhai i tij i dha Dwamena-s këpucët e para të futbollit, një palë “Diadora” në ngjyrë të verdhë.

Ato do të ishin thesari i tij më i rëndësishëm, dhe këtë gjë e deklaroi para një viti vetë sulmuesi: “Kur i mora, nuk munda të flija gjithë natën. Më duhej të sigurohesha që këpucët të ishin ende aty në mëngjes”.

Raphael pranohet më pas në akademinë lokale të Red Bull. Kontrata e tij e parë ishte 100 euro në muaj.

“Si fëmijë nuk dija çfarë të bëja me kaq shumë para”, pati thënë ai.

Pas tre vitesh në akademi, Red Bull e dërgoi të riun e talentuar në Austri, në akademinë e Salzburgut.

Ai luajti me ekipin U-18, ndërsa më pas u mor nga skuadra kryesore dhe aty nisi historia e tij në futbollin profesionist, për të përfunduar tragjikisht, të shtunën e 11 nëntorit 2023, ku mbylli sytë për herë të fundit, pasi pësoi atak kardiak gjatë ndeshjes ndaj Partizanit dhe më pas humbi jetën në spital.

Të ngjashme