Kryefjala Logo

I kishte publikuar video intime në rrjetet sociale dhe ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes, arrestohet 29 vjeçari në Fier

17 Shkurt, 2024 | 4:34 pm

29-vjeçari, Albi Bunjaku, është vënë në prangat e policisë, për shkak se dhunoni bashkëshorten e tij dhe më pas i shpërndau asaj një video intime në rrjetet sociale.

Mësohet se 27-vjeçarja, gruaja e tij, ishte larguar në drejtim të Kosovës, ku kishte prindërit e saj, për shkak të dhunës me të cilën ishte përballur.

Nga kontrolli i ushtruar në banesën e Bunjakut, u gjet dhe u sekuestrua një sasi e vogël lënde narkotike, e dyshuar cannabis sativa.

Njoftimi i policisë:

Dhunonte fizikisht dhe psikologjikisht bashkëshorten, e përndiqte dhe i shpërndau në rrjete sociale, një video intime, Policia vë në pranga 29-vjeçarin.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier, pas denoncimit nga një shtetase 27 vjeçe se bashkëshorti i saj kishte ushtruar sistematikisht dhunë fizike dhe psikologjike dhe për këtë arsye kjo shtetase ishte larguar tek prindërit në Kosovë, organizuan punën për kapjen e tij.

Shërbimet e Policisë bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit A. B., 29 vjeç, banues në Fier. Ky shtetas, në mënyrë sistematike, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes, e përndiqte dhe i kishte shpërndarë një video intime të saj, në rrjetet sociale.

Nga kontrolli i ushtruar në banesën e këtij shtetasi, u gjet dhe u sekuestrua një sasi e vogël lende e dyshuar narkotike cannabis sativa.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Përndjekja”, “Dhunimi i banesës” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Të ngjashme