Lajme
Humbi jetën pas shpërthimit të tritolit, flet babai i 29 vjeçarit nga Elbasani
1 Nëntor, 2024 | 10:36 pm
Babai i Enea Thomarajt, të ritur që humbi jetën tragjikisht në Elbasan ka përlotur studion e emisionit “Për Shqiptarët” me rrëfimin e tij të ndjerë për djalin.
Enea u nda nga jeta në moshën 29-vjeçare, nga shpërthimi i një tritoli që ishte vendosur në shtëpinë e fqinjit.
Babai i Eneas, Arturi tha se për tre muaj në spital vetëm një herë e pa djalin e tij, pasi nuk e përballonte dot ta shihte në atë gjendje. Ai tha se Enea mbylli sytë pa e kuptuar se çfarë i ndodhi dhe ku ishte teksa qëndronte në spital.
“Të dy i kam pas dritë të syve, Enean e kam pas pak më merak. Ishte shtylla e familjes tonë. I vetmi që punonte. Enean e kisha shok, vëlla, bashkëudhëtar, në çdo vend që shkoja isha me atë. Tre muaj ka qëndurar në spital, nuk e dinte ku ishte.
I thosha nuses se unë nuk e shikoja dot. Hyra njëherë. Nuk mundesha, se ishte çun dy metra. Shumë njerëz edhe nga shoqëria e tij nuk iu ndanë. Ishte shumë i dashur, më kanë ardh në shtëpi vetëm që kanë pas respekt. Kemi hapur dyert e mortit, është një situatë shumë e vështirë, rrojmë vetëm për atë të voglin”, u shpreh babai i Eneas.
Fjalët e tij prekëse kanë sjellë lot në sytë e moderatorëve të emisionit por dhe të spektatorëve në studio.
Ai tregoi edhe për vështirësitë e mëdha ekonomike që po kalon, duke thënë se edhe për ceremoninë e varrimit patën vështirësi të mëdha për ta organizuar. “E morën vesh njerëzit dhe u dyndën në shtëpi, kush e kush, na ndihmuan”, u shpreh Arturi, babai i Eneas.