Kryefjala Logo

Flet nëna e Enea Themollarit që humbi jetën pas tritolit; Më duket sikur do e shoh kudo…

2 Nëntor, 2024 | 4:33 pm

Enea Thomaraj, i cili u plagos rëndë në shpërthimin e tritolit pranë banesës së tij në Elbasan, ndërroi jetë pas tre muajsh përpjekjesh të vazhdueshme për të mbijetuar. Kjo tragjedi ka lënë një boshllëk të madh dhe një dhimbje të thellë në zemrat e prindërve të tij, Artur dhe Luljeta Thomaraj, të cilët ndajnë momente prekëse të kujtimeve me të birin në emisionin “Për Shqiptarët”.

Arturi e përshkruan Enenë si një shok të pazëvendësueshëm, ndërsa Luljeta, mes lotësh dhe trishtimi të thellë, përjeton një dhembje të papërshkrueshme për humbjen e djalit që e ndihmonte në çdo hap të jetës. “Më mungon çdo ditë. E pres sikur të vijë në derë…s’ka dhimbje më të madhe për një nënë,” rrëfen ajo.

Natën e tragjedisë, Enea, pa e ditur se jeta e tij do të ndryshonte përgjithmonë, ishte ngritur për të shkuar në tualet, kur shpërthimi i fuqishëm tronditi banesën e tyre, duke e dëmtuar rëndë. Shpërthimi kishte si shënjestër motrat Nikolli, por Enea, që nuk kishte asnjë lidhje me këtë konflikt, përfundoi viktimë e pafajshme e një ngjarjeje të rëndë që shokoi gjithë komunitetin.

Pas shpërthimit, Luljeta u shpërngul në Tiranë, duke kaluar ditë të tëra në përkujdesje për Enenë, ndërsa zemra e saj ushqente shpresën se djali i saj do të shpëtonte. Por tre muajt e mundimshëm përfunduan me një humbje të dhimbshme, duke i prerë asaj shpresën dhe duke lënë një boshllëk të pashërueshëm. “Sot, më duket sikur kudo ku shkoj, e shoh fytyrën e tij, shoh atë dritën e syve të tij që nuk shuhet kurrë për mua,” përfundon ajo.

Të ngjashme