Lajme
Dalin detaje tronditëse! Foshnja në bodrum është kafshuar nga një mi
9 Nëntor, 2023 | 1:12 pm
Nëna 30-vjeçare, e cila lindi foshnjen e saj në një bodrum të një pallati në Yzberisht, rrezikon nga 3-10 vite burg, pasi e braktisi atë dhe fatkeqësisht, foshnja ndërroi jetë.
Disa banorë të pallatit kanë pohuar se foshnja ishte gjetur e kafshuar. Ata thane për VoxNews se foshnja është sulmuar nga një mi dhe se trupi i bebit kishte marrë ngjyrë lejla.
Në dëshminë e saj, ajo deklaroi se ka pasur turp që të mbante një fëmijë duke qenë e pamartuar dhe jetonte në kushte të mjerueshme.
Sipas kamerave të sigurisë në zonën ku braktisi fëmijën, shihet se 30-vjeçarja ka vepruar e vetme, megjithatë vijojnë ende hetimet.
Ditën e sotme i është komunikuar edhe masa e arrestit pasi akuzohet për veprën penale të braktisjes së fëmijës, që në rrethana të lehtë, parashikohet gjobë deri në 3 vite burg.
Ndërsa në rrethana rënduese, siç është ajo e dëmtimit të rëndë të fëmijës, apo të shkaktimit të vdekjes, parashikohet një dënim nga 3 deri në 10 vite burg.
Pritet që prokuroria të dalë edhe me një njoftim për akuzën që do t’i komunikohet 30-vjeçares.
Policia e Tiranës tha se ka arrestuar 30-vjeçaren me iniciale E.I, e cila dyshohet se braktisi foshnjën e saj në një bodrum në Tiranë. Foshnja e sapo lindur e seksit mashkull ndërroi jetë paraditen e sotme në spital.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, që bën fjalë për gjetjen e një foshnje të sapolindur, në bodrumin e një pallati në Yzberisht, ju informojmë se:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë arrestuar shtetasen E. I., 30 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”.
Ditën e djeshme, shërbimet e Policisë, së bashku me stafin mjekësor, kanë dërguar në spital, foshnjën e braktisur nga kjo shtetase, por pavarësisht ndihmës së menjëhershme të dhënë nga shërbimet e Policisë dhe stafit mjekësor, ditën e sotme foshnja ka ndërruar jetë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.