Lajme
Arsyet që çuan Alfred Pezën në dorëheqjen e RTSH-së
6 Shtator, 2024 | 12:43 pm
Drejtori i RTSH-së, Alfred Peza, ka dhënë dorëheqjen nga posti. Ai i ka dorëzuar letrën e largimit nga posti të Këshillit Drejtues të RTSH-së ditën e sotme (6 Shtator).
“Të nderuar, Në zbatim të ligjit nr. 97, datë 04. 03. 2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë dhe vendimit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë nr. 98, datë 22. 12. 2016 “Për miratimin e statutit të RTSH”; ju paraqes dorëheqjen, në mënyrë të parevokueshme, nga pozicioni i Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH. Duke ju falënderuar për bashkëpunimin, Me respekt DREJTORI I PERGJITHSHEM Alfred PEZA”, thuhet në letrën dorëzuar Këshillit Drejtues të RTSH-së.
Prej shumë kohësh, Peza u përfshi në një debat lidhur me mënyrën se si po e drejtonte Radio Televizionin Shqiptar, ku thuhet se ky mund të ketë qenë një ndër arsyet e dorëheqjes. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënoi kohë më parë shkarkimet e fundit në televizionin publik RTSH, duke thënë se ato kontribuojnë në përkeqësimin e lirisë së medias në vend.
“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë vendime të tilla ekstreme i konsideron arbitrare dhe përbëjnë një klimë tensioni, presioni dhe ndëshkimesh ndaj gazetarëve, aq më tepër në kushtet kur në këtë institucion nuk ekzistojnë përfaqësime sindikale dhe struktura dialoguese mes administratorëve dhe entiteteve profesionale apo punonjësve që largohen,” thuhet në deklaratë.
Unioni ka thënë se kishte mësuar se 10 gazetarë të shkarkuar, operatorë dhe anëtarë të redaksive të programacionit dhe Radio Tiranës kanë nisur procedurat e ankimimit në gjykata për shkarkimin e tyre.
“Gazetarët na informojnë se një komision i ngritur pranë Departamentit të Burimeve Njerëzore të RTSH-së realizon një seancë dëgjimi formale të punonjësve në largim,” tha unioni.
Ricardo Gutierrez, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, EFJ, tha gjithashtu se ata ishin “të alarmuar” për shkarkimet “arbitrare”.
“Jemi të alarmuar nga vala e shkarkimeve arbitrare të urdhëruara nga drejtori i ri i televizionit publik shqiptar #RTSH, zoti Peza”, shkroi Gutierrez në Twitter.