Kryefjala Logo

Protesta/Banorët e Thumanës kërkojnë drejtësi për 457 milionë eurot e humbura!

3 Shtator, 2024 | 10:21 am

Banorët e zonës Thumanë-Kashar kanë thirrur një protestë të re,për të kërkuar jo vetëm akses në autostradën 457 milionë euro që kalon përmes tokave të tyre, por edhe drejtësi për atë që ata e konsiderojnë “grabitje” të pasurisë publike.

Kjo protestë vjen pas muajsh tensioni dhe pakënaqësie të akumuluar, ku 85,000 banorë të zonës janë gjendur praktikisht të izoluar nga një projekt që ironikisht premtonte të sillte zhvillim. Autostrada Thumanë-Kashar (SH1), një investim kolosal që u rrit në mënyrë të pashpjegueshme nga 161 milionë në 457 milionë euro, është kthyer në një simbol të keqmenaxhimit dhe mungesës së transparencës.

“Grabitja që i bëhet këtij segmenti nuk është vetëm humbje për ne, por për të gjithë,” thuhet në njoftimin e banorëve, duke nënvizuar impaktin e gjerë të këtij projekti problematik.

Kërkesat e protestuesve janë të qarta: akses në autostradë përmes ndërtimit të hyrje-daljeve të premtuara, kompensim i drejtë për pronat e shpronësuara, dhe transparencë të plotë mbi procesin që çoi në rritjen dramatike të kostos së projektit.

Ky zhvillim i fundit vjen pas një lëvizjeje të guximshme të banorëve për të kërkuar drejtësi ligjore. Kohët e fundit, përfaqësues të komuniteteve të Thumanës, Krujës, Fushë-Krujës dhe fshatrave përreth kanë depozituar një kallëzim penal në SPAK. Akuzat janë të rënda: shpërdorim detyre, korrupsion, shkelje e barazisë në tendera dhe falsifikim dokumentesh. Në qendër të këtyre akuzave janë zv.kryeministrja Belinda Balluku, Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës, ARRSH dhe institucione të tjera të përfshira në tenderin e diskutueshëm.

Të ngjashme