Aktualitet
Kush pritet të pasojë Anastas Janullatosin në krye të kishës shqiptare?
25 Janar, 2025 | 10:08 am

Kryepeshkopi Anastas Janullatos është ndarë nga jeta mëngjesin e sotëm në moshën 95-vjeçare. Ai luftoi prej ditësh me vdekjen i shtruar në spitalin “Evangelismos” në Athinë, por pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të stafit mjekësor për ta mbajtur në jetë, Anastas Janullatos u largua përgjithmonë nga kjo botë duke lënë pas një trashëgimi të pasur fetare.
Gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua që në fund të dhjetorit të vitit të kaluar dhe më pas u dërgua për kurim të specializuar në Athinë në datën 3 janar. Që prej asaj kohë gjendja e Janullatos sa vinte dhe përkeqësohej.
Tashmë një tjetër figurë e shquar duhet të vijë në krye të Kishës Orthodhoske të Shqipërisë për të vazhduar shërbesën e pandërprerë të Kryepeshkopit. Kujtojmë se disa vite më parë vetë Kryepeshkopi Anastas Janullatos ka thënë se pasardhësi i tij në krye të kishës do të jetë shqiptar.
Mitropoliti i Korçës është pretendenti kryesor për të ardhur në krye të Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë. At Joani Pelushi është emri i cili po lakohet më tepër përgjatë ditëve të fundit si pretendenti për tu emëruar si Kryepeshkop i Shqipërisë.
/Newsbomb.al/