Kryefjala Logo

900 mijë euro për diamante dhe veshje, si ra Erion Veliaj në “rrjetën” e SPAK

10 Shkurt, 2025 | 4:37 pm

SPAK ka dalë me njoftim zyrtar për arrestimin e Erion Veliajt të bërë mesditën e sotme, duke treguar skemën sipas së cilës dyshohet se kryebashkiaku me bashkëshorten e tij kanë konsumuar veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv në nëntë raste, shkruan Newsbomb.al

Teksa për kryetarin e bashkisë së Tiranës është dhënë masa e sigurisë “arrest me burg”, për Ajola Xoxën “arresti shtëpiak” nuk është ekzekutuar pasi ajo gjendet në Romë, referuar sistemit TIMS.

Por, si ka mundur SPAK të identifikojë kundërligjshmërinë e çiftit Veliaj – Xoxa?

Sipas Newsbomb.al, referuar njoftimit zyrtar të këtij institucioni të drejtësisë në vend, janë siguruar prova të mjaftueshme se Ajola Xoxa për katër vite ka bërë blerje online duke shpenzuar plot 867 milionë lekë, afro 900 mijë Euro për bizhu dhe veshje. E pikërisht këto shpenzime nuk janë deklaruar në asnjë nga Deklaratat Periodike të titullarit të Bashkisë së Tiranës dhe personave lidhur me të.

“Përveç sa është përshkruar më lart, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka siguruar prova të mjaftueshme për të konkluduar se shtetësja A. X., vetë ose nëpërmjet personave të tjerë të afërt me të, për një periudhë kohore prej rreth 4 vitesh, ka bërë blerje online të cilat konsistojnë në veshje, bizhuteri etj, në masën 86,721,175 lekë. Këto shpenzime nuk rezultojnë të jenë deklaruar në asnjë nga Deklaratat Periodike të titullarit të Bashkisë Tiranë si edhe personave të lidhur me të”, thuhej ndër të tjera në njoftimin e SPAK.

23b2ed44 6dc5 4913 8d19 4e4c4bb2ffee 1

Të ngjashme