Kryefjala Logo

4 vjeçarja humbi jetën në Gjakovë, familjarët akuzojnë se e rrahën të afërmit!

21 Shkurt, 2024 | 2:11 pm

Një ngjarje e tmerrshme dëshmohet se ka ndodhur në Gjakovë. Një vajzë 4 vjeçare ka vdekur. Policia ka hapur hetimet për vdekjen e saj, pasi dyshohet se u rrah barbarisht.

Ditë më parë, Arjana Hajra nga Gjakova, së bashku me të bijën kishin vendosur t’i bënin një vizitë vëllait të saj dhe vajzën e kishte lënë jashtë për të luajtur me fëmijë.

Më pas, atë e ka gjetur të shtrirë në tokë. Sipas Hajrës, vajza i kishte thënë se e kishin rrahur fëmijët e familjarëve që kishin shkuar t’i vizitonin.

“E mora çikën, filloi me qajt. I thash çfarë ke, më tha më ka qëlluar Jakupi me dërrasë dhe djali i Sabijes më ka rrahur. As ajo s’më tregoi mirë. Duke ardhur nuk mundte të ecte, më tha ‘oj mam zemra po m’dhemb’. E mora në shtëpi, po ajo veç qante”, ka thënë Hajra për mediat.

Ndërsa thotë se e ndjera nuk kishte forcë për të qëndruar në këmbë, ajo ka pasur mavijosje në fundshpinë e ënjtje në gjoks.

Pasi e ka dërguar në Spitalin e Gjakovës, gjendja e vajzës është përkeqësuar dhe katërvjeçarja është dërguar për trajtim në QKUK në Prishtinë, ku fatkeqësisht vajza humbi jetën.

“Në mbrëmje më ka thirrur doktoresha me hy në sallë, ku ka qenë çika. Kam hyrë, kam ndenjtur me çikën dhe erdhi doktoresha më tha: Oj zonjë nuk e ka prej të rrahurit, ka infeksion të madh. I ka shpërthyer gjakderdhja prej infeksionit të madh”, ka shtuar ajo.

Shkakun e vdekjes nga një infeksion, e përmend edhe Drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla, por ai nuk ka kthyer përgjigje kur është pyetur nëse 4-vjeçarja kishte shenja të dhunës në trup.

Nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, nuk kanë thënë më shumë për rastin sesa ajo që thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës dhe nuk kanë dhënë përgjigje për marrjen në pyetje të të dyshuarve për rrahjen e të miturës. Njësoj kanë vepruar edhe nga Prokuroria.

“Ju njoftojmë se është iniciuar rast i hetimit të vdekjes dhe me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Në koordinim me policin janë duke u ndërmarr të gjitha veprimet lidhur me këtë rast”, ka thënë nga Prokuroria Themelore në Gjakovë.

Nëna e të ndjerës ka thënë që vëllai i saj ka mohuar që i biri ka rrahur të ndjerën dhe ai siç ka thënë familja, është intervistuar nga Policia e Kosovës. Dritë mbi rastin që është cilësuar si “hetim i vdekjes”, pritet të hedhë raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore, ku ishte dërguar trupi i saj për obduksion.

Të ngjashme