Lajme
14 vjeçarja kërkon lirimin e burrit: U martuam me dëshirë
7 Shtator, 2024 | 4:39 pm
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Korçë, ku një 14-vjeçare ka sjellë në jetë një fëmijë. Policia njofton se baba i foshnjes është 21-vjeçari Dritson Kurti, i cili është vënë në pranga.
Ky i fundit ka pranuar atësinë, ndërsa akuzohet për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”.
14-vjeçarja është martuar para një viti me dashuri dhe me pëlqimin e familjes.
“Jam 14 vjeç, u martova 13 vjeç me dashuri e pëlqimin e familjes. Burrin ma arrestuan dje. Nuk e di pse. Unë kërkoj ta lirojnë. Nuk kam mundësi ta rrit fëmijën pa atë, ai punon. Çfarë të jetë ai del e punon. Dua ta lironi”, thotë vajza në dëshminë e siguruar nga gazetari i Vizion Plus, Tonin Frroku.
Edhe Fidarie Kurti, gjyshja e 21 vjeçarit është shprehur se e kanë si traditë martesën në moshën 12-13 vjeçare. Ajo shprehet se e kanë për ofendim nëse i marrin nuset në moshë të madhe.
“Ne kurbetët e kemi traditë martohemi shpejt, 12-13 vjeç, tani paskan nxjerrë ligj. Ne e kemi traditë, po u rrit çupa nuk e marrim ne. E kemi ofendim. Ne kërkojmë ndihme për djalin, e morën sepse çupa është e vogël. Unë me pension, ai punonte atje në komunale, tek plehrat. Mban gruan e fëmijët. E ëma i vdiq. Tani të mendoje qeveria,çfarë janë këto ligje? Tani kanë dalë? Ne kemi vite martohemi të vegjël. Tani nxorën ligje qeveria? Tek kurbetët do futet qeveria? Ne i marrim të vogla nuset e i mësojmë. Nuk i marrim të mëdha, e kemi për ofendim po qe e madhe “, tha ajo.
Gjithashtu edhe Shpëtim Jonuzi, babai i minorenes ka thënë se e kanë si traditë martesën në këtë moshë. Ai shprehet se dhëndri dhe vajza e tij janë martuar me dashuri.
“Jane bërë martesa, është bërë me kamala. Ne jemi rom, kështu e kemi. Pse ma morët dhëndrin? Ne i martuam me dashuri me harmoni. E keni marrë kot se koti. Lirojeni një orë e më parë. Kjo është vajza ime. Nuk e mori me zor, e mori me dëshirë. Mos hyjë shteti në punët tona. Lirojeni sa më parë. Të me dëgjojnë. Dua të me lirohet dhëndri, të gëzojë fëmijën”, deklaroi i ati i 14-vjeçares.