Ekskluzive
“Jehona” e Jehona Sopit do të ndihet në 9 qershor…
4 Qershor, 2023 | 10:21 am
Nga Suada Daci
Pse ta mohoj Jehona Sopi është një nga artistet e mia të preferuara. Ndonëse kaq vite gazetare nuk kam patur kurrë mundësinë të realizojë një intervistë me të andaj në një bisedë me Olti Currin kur më tregoi për projektin “Jehonë” i kërkova që vetëm për pak orë të bëhesha gazetare e “Kryefjala.com” e të kisha mundësinë të intervistoja artisten time të preferuar. Jehona Sopi ka hite të jashtëzakonshme si “Fustani i bardhë”, “Të shkuara”, “Marramendje”, por një nga këngët dhe klipet që personalisht i kam adhuruar ka qenë “Këtë verë”… Një video që edhe pse është realizuar përpara shumë vitesh është shumë stil dhe e veçantë edhe sot. (Një tjetër pikë e fortë kjo e Jehonës, që e ka dalluar nga artistet e tjera shqiptare)…
Por le të ndalemi tek “Jehonë” i cili është koncerti i parë recital i artistes së njohur e që do të vijë në datën 9 qershor në Prishtinë, nën shoqërimin e orkestrës simfonike dhe ky Jehona do të shpalosë me mjeshtri të gjithë akumulimin e saj artistik 20 vjeçar.
“Koncerti i një formati të tillë ka qenë dëshirë e imja e kahmotshme, por për një kohë të gjatë mbeti vetëm një dëshirë sa i përket realizimit të këtij projekti. Gjithçka filloi si një muhabet kafeneje me një mikeshën time e cila e diskutoi më pas me drejtoreshën e kulturës së komunës. Nisi si bisedë për një për të bërë një koncert por që në fakt do të jetë një koncert me disa standarte që duhet ti ndjekin edhe artistët e tjerë në vijim”, shprehet Jehona për Kryefjala.com.
“Me shumë krenari po e them që do të jetë një nga eventet më të mëdha të realizuara ndonjëherë në Prishtinë për një artist solo. Rrugës na u bashkua edhe presidenca, që vendosi ta marrë në patronazh këtë koncert pasi ai bëhet për nder të çlirimit të Prishtinës”, shton ajo.
E pyetur sepse vendosi të risjellë “arsenalin” e saj “gold” artistik dhe jo një album me krejtësisht këngë të reja”, Jehona e ka një përgjigje:
“Dëshira për të ardhur me këngë që i kam kënduar për shumë e shumë vite është sepse ato peshën e kanë të njëjtë dhe njerëzit i ka marrë malli. Kam qenë ndër të vetmet këngëtare shqiptare që Prishtina e ka pranuar të këndojë “live” nëpër diskoteka, pasi atëherë ishte shumë në modë muzika e huaj. Dhe po e nis këtë rrugëtim që do të ketë vazhdimësi edhe në Tiranë e Shkup”. (Një lajm ky që na gëzon pa masë)…
Megjithatë Jehona nuk preferon ta quajë këtë projekt një rikthim sepse për hir të së vërtetës ajo është gjithnjë aty, në atë vendin e veçantë të muzikës shqiptare.
“Ky nuk është një rikthim pasi e kam dëgjuar shpesh të ceket ky term. Unë muzikën e bëj me pasion e shumë qejf dhe s’do ta sillja në një nivel të ulët, prandaj do mundohem të bëj shumë gjëra të bukura”, tregon ajo.
E pyetur nëse vazhdon ta ndjejë që fansat dhe publiku e duan ende shumë ajo shprehet se, “ nuk e kam pyetur veten nëse më duan apo jo, por këtë projekt s’do ta kisha bërë dot pa mbështetjen e familjarëve, miqve, institucioneve shtetërore por edhe bizneseve, pasi është një projekt shumë i madh dhe i kushtueshëm që s’mund ta bëja dot vetëm si dhe pa producentin Dardan Selimaj, pa të cilin do ta kisha të vështirë ta realizoja këtë projekt.Por unë i besoj atij parimit ose asaj fjalës së urtë popullore “Çfarë të mbjellësh do korrësh”. Investimi im gjithë këto vite qoftë personal sa i përket emocioneve jam munduar të kem afër njerëz që i dua dhe më duan përveç familjes sime.
E megjithatë risitë nuk do të mungojnë si gjatë koncertit por edhe në vijim për Jehona Sopin pasi ajo na zbulon se: “Koncerti do ta ketë një këngë të re dhe në shtator do të ketë edhe tri të tjera sepse jam në atë frymëzimin dhe dëshirën për me këndu, por shpresoj që nuk ka me pas ndonjë moment që do të heqë dorë prej muzikës. Do të mundohem që në këtë treg të çuditshëm të gjejë hapësira për gjëra të bukura sepse sigurisht që ka vend për secilin këngëtar”…